Secondary Adv

Rritja e kredisë së re në maj u udhëhoq nga individët, rekord historik huadhënia për banesat

Ndryshe nga depozitat e bizneseve që shënuan rritje të fortë në maj, kredia e re për ekonominë dhënë bizneseve e individëve ka qenë pothuajse në nivelet e muajit prill, ndërsa është zgjeruar në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.


ipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në maj sektori bankar dha gjithsej rreth 39.9 miliardë lekë kredi të re, pothuajse në nivelin e prillit 2026, por 16% më shumë krahasuar me majin e vitit të kaluar, ose 5.5 miliardë lekë më shumë.


Në segmentin e biznesit, kredia e re gjatë muajit u rrit 16% me bazë vjetore, gjithsesi në ngadalësim me prillin, kur zgjerimi kishte qenë 25%. Kredia e dhënë për bizneset në maj, ishte në nivele të ngjashme me prillin, në rreth 25.5 miliardë lekë.


Ndryshe nga prilli, në maj, rritjen më të fortë me bazë vjetore e kanë shënuar individët, më huanë për këtë segment që është zgjeruar me 25%, duke arritur në 14.2 miliardë lekë. (në prill individët rritja ishte më e kufizuar, me afërsisht 8% më shumë). Ndikimin kryesor e ka dhënë huadhënia e re për blerje shtëpish, në monedhën vendase.


Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gati gjysma e rritjes totale të huasë së re në maj erdhi nga huaja për blerje banesash. Në maj, u dha 6.6 miliardë lekë hua për banesat për individët, me një rritje prej 54% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë (+2.3 miliardë lekë, nga 5.5 miliardë lekë që ishte shtesa e huasë në total) dhe 24% më shumë se në prill 2026. Ky është niveli më i lartë i huadhënies së re për kredi banesash në lekë, që nga dhjetori 2015, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat (shiko grafikun).


Për 5 mujorin, kredia e re për blerje banesash në lekë arriti në rreth 23 miliardë lekë, me një rritje prej 15% me bazë vjetore, duke mos shfaqur shenja ngadalësimi, pavarësisht masave që ka marrë Banka e Shqipërisë për të kufizuar huadhënien e individëve për huatë hipotekore.


Pesë mujori


Për pesë muajt e parë të vitit, sektori bankar ka disbursuar kredi të reja në vlerën e 177.6 miliardë lekëve, në rritje me 8.2% krahasuar me një vit më parë.


Rritja e kreditimit ishte e dukshme edhe në vlerën e portofolit total. Në fund të majit, teprica e kredisë për ekonominë arriti në 978 miliardë lekë, në rritje me 9.7 miliardë lekë krahasuar me prillin. Me bazë vjetore, portofoli i kredisë për ekonominë është në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat